Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 580

Ilir Qirici, Shqipëria i dha tri ditë jetë

$
0
0

Amerika i ktheu jetën dhe e integroi ne jeten e perditshem…/

nga Dalip Greca/

E merrni do me mend se si një njeri,i paralizuar, që ka humbur aftësitë lëvizëse, i ulur në karrocën e tij të sofistikuar, të kryej detyra të vështira në televizion, të jetë organizator i një programi televiziv, të jetë përgjegjës për ndriçimin,të drejtoi të ftuarit në sallë, dhe të kryej veprime të tjera gjatë trasmetimit të shfaqjes? E merrni me mend që ky invalid të jetë shpallur dhe regjisori më i mirë për Amerikën Verilindore? Pra ai ka fituar çmimin  e parë në kategorinë e programeve të bisedave në Aleancën për Median e Komunitetit, në festivalin rajonal të videos në Verilindje të Amerikës. Gjithçka është e mundshme, madje si ç’shprehet Liri,gjithçka kryehet shumë lehtë.Po çfarë magjie zotëron ky Ilir Qirici,(shokët e thërrasin Liri) që veprimet i kryen në mënyrë të sinkronizuar.

Ja si e shpjegon ai mrekullinë e kryrjes së veprimeve gati në mënyrë automatike: Unë kam një karrocë të sofistikuar që më lejon të lëvizë, kam një program kompjuteri të veçantë që më lejon të përdorë dhe kontrolloj kompjuterin, kam teknologji ndihmuese në shtëpi që më lejon të kontrolloj krevatin, dritat, televizorët dhe pajisjet e tjera vetëm nëpërmjet zërit dhe teknologji të ngjashme në punë ku kam një pajisje kufje me valë e kombinuar me programe të tjera që më lejon të kontrolloj kompjuterin, të bëj dhe marr telefonata vetë dhe kjo nëpërmjet përdorimit të vetëm të zërit. Interneti është bërë pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe falë teknologjisë ndihmuese jam më i pavarur. Siç thonë, vetëm në Amerikë ndodhin këto mrekullira.

Shtypi ka shkruar shumë për Lirin, madje gazeta e njohur”The Boston Globe” e ka pasur radhazi personazhin e vet, siç e kanë pasur dhe shume revista rajonale. Gazetarja e ”The Boston Globe” Diana E. Lewis, në shkrimin e saj botuar me 11 nëntor 2001,  ka arritur që të përcjellë si në vidio veprimtarinë e Lirit.

Liri punoi në MATV dhe në Cyber Cafe’ në Malden, ku ai mësoi frekuentuesit e saj sesi të përdorin internetin në kompjuter. Në një mbasdite të zakonshme, ai ”shkruan” informacionin në ekranin e kompjuterit duke i dhënë komandat me zë, pastaj më një pikë të argjendtë në ballin e tij, çvendos shigjetën kompjuterike duke lëvizur kokën. Pra një dritë infra të kuqe në një kanal pranë kompjuterit të tij bie mbi pikën e argjendit, e cila kthehet në sinjal, duke i lejuar atij që të manipulojë shigjetën të shkruaj. Një telefon i lidhur me një pajisje kontrolluese aty pranë dhe me një kufje dëgjimi në kokë, i mundësohet që të presë thirrje të ndryshme telefonike. Kufjet dhe telefoni janë të lidhur me një kuti telefonike pranë tij,vetë telefoni është i lidhur me kompjuterin, i cili gjithashtu ka të programuar në software një qendër zëri.Komandat janë të tilla: si”përgjigju në telefon” dhe kalon sinjalin menjëherë te kufjet.

“Aktivizuesi i zërit më lejon mua të shkruaj, të kontrolloj shigjetën dhe të përdor telefonin, thotë Liri. Pastaj shton:Gjithçka që të tjerët e realizojnë me duar, unë e realizoj nëpërmjet zërit”.

Po çfarë bën tjetër Liri? Përgjigjet ai vetë: Në MATV, unë bëj produserin, drejtoj, montoj, jap leksione, punoj me grafiks, kordinoj të ftuarit në studio, marr pjesë në projekte të ndryshme. Kam bërë shumë programe dhe projekte të cilat kanë pasur sukses, kam realizuar programe dhe projekte për”public service Announcements”,”PSA”, bëj kërkime dhe takoj organizata të ndryshme shoqërore etj. Më pas ai tregon për progarmin”VISTA”, ku pranoi të merrte pjesë. Pse e bëre këtë? E para unë mundesha të punoja në Stacionin televiziv, i cili në bazë ka një lloj pune të cilën mua më pëlqen ta bëj, të shkruaj, të organizoj, drejtoj, dhe të përgatis grupe pune.

Jeta e Lirit është plot me të papritura. Për t’i sjellë ato sa më të plota për lexuesit, i morëm atij intervistën e mëposhtme:

- Liri dhe Shqipëria, ëndërrat e vrara dhe vdekja që desh ju mori jetën, ç’përgjigje do të jepnit tani pas kaq vitesh, ku shumë gjra kanë marrë kahje tjetër?

- Çdo njeri ka dëshira dhe ëndrra për të ardhmen. Ëndrra ime ishte të bëhesha regjizor filmi. Megjithatë, duke jetuar në Shqipëri, Tiranë gjatë regjimit komunist mundësitë ishin të pakta. Ne kishim një industri shumë të vogël filmi dhe nuk kishte ndonjë shkollë filmi. Instituti i lartë i arteve në Tiranë ishte i vetmi vend për studime të avancuara arti dhe ata kishin vetëm një program për regjizurë teatri ku vetëm dhjetë vetë pranoheshin çdo vit në një konkurs ku merrnin pjesë pothuajse 100 kandidatë.

Unë u përgatita dhe studiova për pothuaj dy vjet dhe besoja se kisha talentin e mjaftueshëm, pasion dhe këmbëngulje që të isha një nga të zgjedhurit. Por, qartazi talenti nuk kishte të bënte asgjë me seleksionimin. Vetëm ata që kishin lidhje të mira u pranuan në atë program. (për shembull, në atë vit kur unë konkurova, 1988, në program u pranuan Dritan Agolli, djali i Dritëro Agollit, Diana Ndrenika, e bija e Robert Ndrenikës, Albert Budina, vëllai i Edmond Budinës  dhe Eno Milkani, i biri i Pirro Milkanit. Sa për informim, asnjë nga këta të zgjedhur nuk është marrë me regjizurë ose art që nga ajo kohë).

Mospranimi në atë program ishte dëshpërues dhe shumë i vështirë për t’u pranuar, sidmos kur e dija se çfarë isha në gjendje të bëja. Shkrimi i poezive, kalimi i kohës në plazhin e Durrësit ku kaloja kohë duke shikuar qetësinë e detit dhe shpresa për një të ardhme më të mirë ishin disa nga gjërat që risollën paqen në zemrën time. Gëzohesha kur shkoja në atë plazh dhe shkoja gjatë gjithë muajve të verës. Por, fati i keq më ndoqi edhe atje. Më 6 gusht 1989, pësova një aksident që më la të paralizuar nga gjoksi poshtë, duke më ndërruar kështu përgjithmonë jetën time. Siç mund ta keni lexuar në artikullin e revistës që keni, unë vrapova drejt detit dhe kërceva duke u përpjekur të bëja një sallto 360 gradëshe. Me qëllim që të bija në këmbë në fundin e detit. Megjithatë, unë pata një kërcim të keq që rezultoi fatal për mua. Unë isha nën ujë duke mbajtur frymën, i ndërgjegjshëm dhe me qafë të thyer…

 Mjekët ju dhanë vetëm 3 ditë jetë,si e kapërcyet ju dhe familja juaj fatkeqësinë?

- Për pothuajse 2 vjet luftova për jetën time duke kaluar dhimbje të rënda presioni dhe komplikacionesh të shumta, pa ndihmë nga mjekët të cilët kishin garantuar vdekjen time brenda tri ditëve pas aksidentit dhe të autoriteteve që nuk treguan kujdes as për mua dhe as për dhimbjen e madhe të familjes sime. Shkurt, ajo çfarë bënë doktorët ishte një radiografi e qafës, më dhanë një injeksion dhe pritën që të vdisja. Ata më nxorën nga spitali dhe më dërguan në shtëpi duke thënë: “Le të vdesë në shtëpi”. Por, unë nuk vdiqa. Unë mbijetova. Ishte besimi në Zot dhe mbështetja e jashtëzakonshme e familjes sime, përkujdesi dhe përpjekjet e mrekullueshme të prindërve të mi, Simonit dhe Angjelinës dhe si gjithmonë, shpresa se një ditë do të bëhesha më mirë dhe do të mund të eci përsëri. Është me të vërtetë një mrekulli që sot jam gjallë dhe mirë. Në të vërtetë, një numër mrekullishë ndodhën.

-Liri dhe Amerika, si u takuat me njeri-tjetrin?

-Familja ime së bashku me mua, përfituam nga gjendja trazuar që u krijua pas tronditjes së madhe që regjimi komunist pësoi më 1990 dhe eventualisht ikën nga ai sistem. I pari ishte vëllai im i madh Vasili që shkoi në Itali ku menjëherë kërkoi azil politik. Pak më vonë në mars 1991 pjesa tjetër e familjes arriti të shkojë në Greqi ku u operova dy vjet pas aksidentit të paktën për të stabilizuar qafën e thyer.

Megjithatë, ëndrra e familjes sonë ishte të vinim në SHBA, i vetmi vend në botë që ofronte kujdes të shkëlqyeshëm mjekësor për mua dhe eventualisht jetë më të mirë për gjithë ne. Im vëlla, Vasili, kishte bërë kërkesë në Ambasadën Amerikane për të ardhur në Amrikë si refugjat politik. Me ndihmën e organizatës mirëbërëse katolike, ai na dërgoi garancitë dhe më 11 mars 1992 ne erdhëm në Amerikë si refugjatë politikë. Sapo mbërritëm fillova të kuptoj pse Amerika ishte vendi më i madh në botë dhe sa fatlumë ishim ne që të jetojmë këtu. Amerika më kë dhënë çdo gjë që kam nevojë ku dëshiroj të shkoj dhe çdo mundësi të bëj çfarë dëshiroj të bëj në jetë. Nga shërbimi i mrekullueshëm dhe falas, shërbime teknologjike, shoqërore dhe të ndihmës,pa asnjë lloj diskriminimi të çfarëdollojshëm.

 - Çfarë ju dha Amerika?

- Vetëm në Amerikë një njeri me aftësi të kufizuara fizike, si unë, mund të marrë këso lloj shërbimesh të jashtëzakonshme dhe të ketë mundësi për të punuar ndërmjet njerëzve në gjendje normale dhe të jetë produktiv. Unë kam një karrocë të sofistikuar që më lejon të lëvizë, kam një program kompjuteri të veçantë që më lejon të përdorë dhe kontrolloj kompjuterin, kam teknologji ndihmuese në shtëpi që më lejon të kontrolloj krevatin, dritat, televizorët dhe pajisjet e tjera vetëm nëpërmjet zërit dhe teknologji të ngjashme në punë ku kam një pajisje kufje me valë e kombinuar me programe të tjera që më lejon të kontrolloj kompjuterin, të bëj dhe marr telefonata vetë dhe kjo nëpërmjet përdorimit të vetëm të zërit. Interneti është bërë pjesë e rëndësishnme e jetës sime dhe falë teknologjisë ndihmuese jam më i pavarur. Siç thonë, vetëm në Amerikë ndodhin këto mrekullira.

Amerika më ka trajtuar si birin e saj dhe së bashku me familjen time dhe unë, që kemi lulëzuar këtu, ne e duam Amerikën dhe nuk do ta ndërronim atë për çfardo vendi në faqen e dheut.

- Si arriti Liri, që të përballonte programin e vështirë dhe të diplomohej në Universitetin e Boston-it?

- Duke qenë në SHBA në vendin e lirisë dhe mundësive të mëdha, edhe një herë ëndrrat e thyera m’u ringjallën. Unë e mësova anglishten vetë nga televizori dhe leximet dhe në vitin 1995 frekunetova Universitetin e Massachusetts në Boston. Mësova bazat e realizimit të filmit dhe punova kryesisht si regjizor në një grup dhe shumë projekte filmike dhe videoje individuale. Frekuentimi i kolegjit ishte shumë i vështirë për mua në shumë drejtime; që nga ruajtja e shëndetit të mirë tek transportimi, të shkruarit e detyrave në anglisht. Në fillim shtypja germë pas germe me një makinë shkrimi të vjetër elektrike. Më duheshin disa ditë që të shypja një detyrë. Në vitin e dytë të kolegjit punët m’u lehtësuan pasi fillova të përdor “Dragon dictate” një program kompjuteri që punon me teknologjinë e zërit.

Në vitin 1997 vazhova arsimimin tim dhe hyra në programin më të mirë të filmit në Masachusetts, në Universitetin e Boston-it, ku forcova dhe çova më tej dijet e mia në regjizurë, në skenarë dhe në gjithë procesin e krijimit të filmit. Në Universitetin e Boston-it unë kisha rastin të punoja me kamera 16 mm dhe pajisje më të mira, i zgjerova dijet e mia duke studiuar filma dhe regjizorë të ndryshëm dhe përfitova përvojë të vlefshme, duke marrë pjesë në projekte grupi dhe duke drejtuar filmat e mi të shkurtër, përfshirë një projekt grupi të quajtur “Slices”.

Unë hyra në kolegj shumë i vendosur për çfarë doja dhe duke e ditur se çfarë duhej të bëja për t’iu afruar një hap tjetër më pranë ëndrrës sime. Besoja se do të mund të bëja sa kisha mundësi pavarësisht nga pengesat dhe rrethanat. Ishte shumë e vështirë por jo e pamundur. Dhe, unë e dija këtë, pasi e kisha mësuar nëpërmjet rrugës së vështirë.

-Ju jeni një njeri me emër tani në fushën televizive dhe për aftësitë tuaja kanë shkruar gazeta e revista të shumta, si shkuat tek suksesi?

- Pasi mbarova shkollën, punova si vullnetar pa pagesë në Televizionin Publik të Malden-it, eventualisht fillova për të punuar atje si koordinator i prodhimit të programeve të komunitetit. Krahas dhënies së mësimit dhe përgatitjes së anëtarëve, unë prodhoj videopromovimi, gjithashtu prodhoj dhe drejtoj shfaqje të Televizonit të Komunitetit.

“Çfarë është kjo…?”

Është një seri për Televizionin e Komunitetit rreth çështjeve shëndetësore, paaftësisë fizike dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilën e krijova një vit më parë dhe e prodhova dhe e drejtova vetë, fitoi çmimin  e parë në kategorinë e programeve të bisedave në Aleancën për Median e Komunitetit, në festivalin rajonal të videos në Verilindje të Amerikës. Kështu që krahas prodhimit të videove dhe filmave, unë kam edhe përvojë prodhimi televiziv. Gjithmonë përpiqem të bëj ç’është më e mira e të jemë ndërmjet më të mirëve. Tani po punoj për të prodhuar një seri tjetër për televizionin e Komunitetit, e cila mendoj se  do të jetë e suksesshme.

-Ç’farë keni tani në mendje për teleshikuesit tuaj?

- Nga fundi i pranverës planifikoj të filloj filmimin e një filmi të shkurtër, të cilin e kam shkruar dhe dërguar tek disa festivale prestigjioze filmi. Përgjithësisht e kaloj ditën duke shkuar në punë, duke kaluar kohën në familje dhe me shokë, duke lexuar, shkruar dhe shikuar filma.

Gjithashtu organizoj pritje duke bashkuar miq e të afërm në përpjekje për të qëndruar pranë njëri tjetrit dhe për t’u adaptuar në një kulturë të re, ndërkohë që të ruajmë traditat e mrekullueshme shqiptare.

-Liri dhe Shqipëria,cilat janë lidhjet e paslargimit?

-Nuk kam qenë në Shqipëri asnjëherë që kur jam larguar në mars 1991. Por, kam mbajtur kontakte me të afërmit dhe miqtë atje dhe në botë. Pavarësisht se jam larguar nga Shqipëria në rrethana të vështira, unë nuk ruaj asnjë ndjenjë lëndimi. E fajësoj atë sistem. Kam nja dy histori shumë të mira të cilat m’i pëlqen t’i kthej në skenarë, eventualisht në filma. Që të dyja janë histori shqiptare, të cilat mendoj t’i shkruaj së shpejti dhe është e kuptueshme t’i filmoj në Shqipëri një ditë në të ardhmen e afërt. E kjo në një farë mënyre do të jetë kontakti im direkt me Shqipërinë nga që do të më duhet të shkoj atje për të filmuar dhe nga ana tjetër do të kërkoj mbështetje financiare në formën e investimit vecanërisht nga komuniteti shqiptaro – amerikan, në atë frymë që të bëjmë Shqipërinë dhe shqiptarët të njohur kudo në botë.

Më së fundi, dëshiroja të thoja se gjatë gjithë jetës sime, pengesat kurrë nuk më kanë ndaluar. përkundrazi ato më bënë më të fortë. Gjithmonë them se pengesat mund të të ngadalësojnë por nuk mund të ndalin kurrë nëse ti ke shpresë, këmbëngulje, dëshirë të zjarrtë për të eur përpara në rrugë të drejtë dhe arritur qëllimet dhe ëndrrat. Për mua, ecja përpara në drejtimin e duhur do të thotë të shikosh edhe prapa. Të kuptosh se kush je, se si mbërrite këtu dhe s e ku dëshiron të shkosh. Gjithë jetën time, veçanërisht pas aksidentit, kam kuptuar se ka shumë gjëra të cilat nuk mund t’i ndryshoj. Por, kam bërë çështë e mundur të punoj fort që të ndryshoj gjërat të cilat mundem…

Liri ka mbaruar Universitetin e Bostonit per Film dhe Televizion. Ilir Qirici u lind në vitin 1962. Ilir aktualisht jeton në Eureka, Missouri. Para kësaj, ai ka jetuar në Eureka, MO në vitin 2011. Para kësaj, ai ka jetuar në Saint Louis, MO 1998-2006.

(Arkiv)


Viewing all articles
Browse latest Browse all 580

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>